Ca vargje rri dhe shkruaj përmbi rërë …

 

Ca vargje rri dhe shkruaj përmbi rërë,

Që shpejt i fshin dhe deti edhe era.

Kështu si unë kush nuk pati bërë,

Në breg të detit kur e solli hera?

 

Përpara shtrihet deti pa kufi

Dhe dielli ndrin në qiell të kaltërt lart,

Më duket vetja hiç në pafundësi,

Nga e pamatura rrethuar qark.

 

Nuk lodhet truri më për të zbuluar

Kuptimn' e jetës sonë vdekatare:

Natyra, pa dyshim, na ka krijuar

Si trill të saj në vallen hokatare.

 

Të fortë lindim, gati si hyjni,

Të pafuqishëm vdesim, në vetmi.

 

Durrës, tetor 1991

 

 

Back to Top